Secondary Adv

Sektori bankar vazhdon rritjen, totali i aktiveve arrin në më shumë se 22 mld euro

Sektori bankar vijoi rritjen edhe në gjysmën e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave paraprake dhe të paaudituara të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) totali i aktiveve të sistemit bankar në mesin e vitit arriti në 2.161 trilionë lekë ose rreth 22 miliardë euro, në rritje me 3.1% (rreth 66 miliardë lekë) që nga fillimi i vitit dhe me 8% (160 miliardë lekë) krahasuar me mesin e vitit të kaluar.

 

Banka më e madhe për nga vlera e aseteve ngelet Banka Kombëtare Tregtare (BKT), me 23.9% të tregut. Megjithatë, pjesa e tregut të BKT pësoi rënie nga niveli prej 24.6% i një viti më parë.

 

Ndjek Credins Bank, me 16.6% të aktiveve, në rritje nga niveli prej 16.2% i një viti më parë.

 

Raiffeisen Bank mban vendin e tretë, me 14.7% të tregut, por banka e grupit austriak ka pësuar rënie të ndjeshme të pjesës së tregut nga niveli prej 14.8% i një viti më parë.

 

Intesa Sanpaolo gjithashtu ka rënë në 9.9% të aseteve totale të tregut, ndërsa një vit më parë mbante 10.5%.

 

Vijon Banka OTP Albania me 8.9% të aktiveve, duke ruajtur të njëjtën pjesë tregu që mbante edhe në mesin e vitit të kaluar.

 

Tirana Bank ngelet banka me rritjen më të lartë të pjesës së tregut edhe në gjysmën e parë të këtij viti. Banka e grupit Balfin arriti në 7.6% të totalit të aktiveve, nga 7% që zotëronte në mesin e vitit 2024.

 

Ndjek Banka Amerikane e Investimeve, me 6.7% të tregut, me një rënie të vogël nga niveli prej 6.8% i një viti më parë.

 

Edhe Union Bank ka fituar terren, me 5.2% të tregut, nga 5.1% që mbante në mesin e vitit të kaluar.

 

Ndjek Banka e Parë e Investimeve (Fibank), me 3%, edhe kjo në rritje nga niveli 2.9% i një viti më parë.

 

ProCredit Bank Albania është rritur në 2.4%, nga 2.2% që mbante në mesin e vitit 2024.

 

Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA) mbyll renditjen me 1.1% të tregut, por me një rritje nga niveli prej 1% i një viti më parë.

 

Edhe 6-mujori 2025 konfirmoi një tendencë të mëtejshme të rritjes së tregut të bankave me kapital vendas dhe rënien e atyre me kapital të huaj. Së bashku, bankat me kapital vendas arritën në 37.2% të aktiveve totale të tregut, nga 36.1% që mbanin një vit më parë.

 

Rritja e aktiveve të sektorit u mbështet sidomos në zgjerimin e kreditimit. Portofoli i kredisë arriti vlerën e 875 miliardë lekëve, në rritje me 7.8% (rreth 63 miliardë lekë) që nga fillimi i vitit dhe me 13.3% (103 miliardë lekë) krahasuar me një vit më parë. Shifrat sipas standardeve IFRS konfirmojnë rritjen më të shpejtë të kreditimit në 15 vjet dhe një oreks më të madh për rrezik nga sektori bankar në vend.

 

Tregu i kredisë vazhdon të kryesohet nga Credins Bank, me 18.1% të portofolit total të sektorit (në rënie nga niveli prej 19.1% i një viti më parë), e ndjekur nga Raiffeisen Bank, me 15.7% (nga 15.4% një vit më parë), BKT, me 13.1% (nga 12.8% në mesin e vitit 2024), OTP Albania, me 13.1% (nga 12.6% një vit më parë), Tirana Bank, me 9.5% (nga 9% një vit më parë), ABI Bank, me 7.5% (nga 8% një vit më parë), Intesa Sanpaolo, me 6.9% (nga 7% një vit më parë), Union Bank, me 6.3% (nga 6.4% një vit më parë),  ProCredit Bank, me 4% (po aq sa një vit më parë), Fibank me 4% (nga 3.9% një vit më parë dhe UBA, me 1.7% (nga 1.8% një vit më parë). /Monitor(https://monitor.al/sektori-bankar-vazhdon-rritjen-totali-i-aktiveve-arrin-ne-me-shume-se-22-miliarde-euro/)


Më të lexuarat